Pasi dekretoi shfuqizimin e zgjedhjeve në 30 Qershor, kreu i shtetit nisi konsultimet me përfaqësues të partive politike për të diskutuar një tjetër datë. Takimin e parë që zgjati për afro 30 minuta, Presidenti Meta e pati me 5 përfaqësues të grupimit të qendrës së djathtë.

Më herët, aleatët e Lulzim Bashës kishin propozuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj, por pas bisedës së zhvilluar me kreun e shtetit, ata thanë se nuk kishin diskutuar për një datë konkretë, pasi sipas tyre, ajo duhet të jetë produkt i një marrëveshje të madhe politike.

“Aksioni opozitar nuk mund të reduktohet vetëm në këtë situatën e ditës së zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve nuk është një dëshirë. Do të dalë vetvetiu nga marrëveshjet politike. Nëse data e zgjedhjeve është një shtyrje thjesht për të shtyrë kohë, kjo nuk i mjafton opozitës”, tha Dashamir Shehi.

Pas grupit të qendrës së djathtë, në zyrën e Ilir Metës u ngjit edhe Paskal Milo, kryetar i Partisë Demokracia Sociale.

“Çdo tentativë për të bërë zgjedhje të njëanshme do të kompromentonte hapjen e negociatave. Të jenë të lira e gjithëpërfshirëse. Duam stabilitet në mënyrë që Shqipëria të shmangë përplasjet politike dhe sociale”, tha Milo.

Televizioni Klan ka mësuar se në orët e pasdites ftesa nga Presidenti i ka mbërritur edhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por nuk dihet se kur do të jetë takimi mes tyre. Nga ana tjetër, maxhoranca konfirmon se nuk ka ende një ftesë për t’u bërë pjesë e konsultimeve, edhe pse është e qartë që shumica i qëndron 30 Qershorit si datë kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.

Tv Klan