Presidenti Ilir Meta akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të destabilizojë vendin me porosi të një lobi shumë të fuqizuar pro serb në Uashington.

Ilir Meta: Pse nuk kishte kohë për të pritur vendimin e gjykatës, nuk kishte kohë për të pritur sa të dilnim nga pandemia? Sepse kuptohet kemi të bëjmë me një skenar për trazira, për përplasje në Shqipëri dhe kjo ka në sfond edhe zhvillimet rajonale. Ai e shembi (Teatrin) edhe për arsye të brendshme, edhe sepse ka marrë një porosi ta destabilizojë, ta nxehë situatën në Shqipëri, sepse kështu i intereson dikujt, lobit shumë të fuqizuar pro serb në Uashington. Po, po. Siç i interesonte edhe vjet përplasja në zgjedhje. E harrove?

Blendi Fevziu: Pra ju po thoni që kryeministri i Shqipërisë po i shërben interesave dhe lobit serb në Uashington?

Ilir Meta: Pro serb, po.

Blendi Fevziu: Lobit pro serb në Uashington?

Ilir Meta: Ky është një element i ri që më duket se e kam bërë të qartë këtë dhe po e them prapë. Kështu që ta mbyllim këtë histori se kam shumë.

Blendi Fevziu: Kush janë përfaqësuesit e këtij lobi pro serb në Uashington?

Ilir Meta: Unë këtë e them me bindje, por kujt i intereson kjo? Këtë do ta provojë koha.

Blendi Fevziu: Edhe shembjen e teatrit ju e çoni në favor të krijimit të konfliktit për këtë çështje?

Ilir Meta: Tani, mund të ketë ndonjë zhvillim në Kosovë, interesant javët që vijnë. Ore zotëri, pse duhej ta shembte Teatrin në atë mënyrë? Pse? Ta thashë tani, në të ardhmen do të them më shumë.

Meta po ashtu tha se “kam shumë prova dhe dokumente që do i bej publike në kohën e duhur. SMS që u bë publike sot do duket pa vlerë në raport me to. Do flas në të ardhmen dhe në kohën e duhur.”/tvklan.al