Basha: Është grusht i pastër shteti

Pas një takimi kokë më kokë të zhvilluar në Presidencë me Ilir Metën, Lulzim Basha ka njohur aleatët e tij me provat shtesë që kreu i shtetit kishte mbledhur kundër kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, të cilin e quan si pjesë të një projekti të mazhorancës për grusht shtetit. 

Zyra e Shtypit e Presidentit Meta bëri me dije angazhimin e kreut të shtetit në ndaljen dhe shpartallimin e asaj që e quan si përpjekje të Rilindjes në grushtin e shtetit, çka e konfirmoi pas takimit me aleatët e tij edhe kreu i opozitës Basha.

“Ky është grusht i pastër shteti, siç e quan edhe Presidenti, vërtet nuk bëhet me ushtri e me tanke, por me shërbëtorë të bindur të qeverisë në organet e reja të drejtësisë. Presidenti më ka njohur me të tjera fakte dhe prova tronditëse të përfshirjes kriminale të zyrtarëve të lartë të mazhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Edi Ramës i duhet GJK për të mbrojtur e liruar kriminelët me të cilët ka marrë pushtetin, është investuar në mënyrë të hapur e kriminale për të kapur GJK.”

Gjatë fjalës së tij disa herë përmendi rotacionin politik, kur iu drejtua Kryeministrit Rama, të cilin e paralajmëroi edhe në një përballje me qytetarët në mbrojtje të kapjes që tha se maxhoranca po i bën Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk ka forcë mbi këtë dhe` që të ndalë rotacionin, i ka bërë hesapet gabim Edi Rama, ia kam thënë para një muaji. Unë po bëj gjithçka që kjo të përfundojë me mjete politike për hir të stabilitetit, duhet që kjo të vijë pa kosto. Do bëj gjithçka që kjo të vijë me kosto të vogël për shqiptarët. Ne do të marrim çdo vendim, duke i bërë thirrje çdo qytetari që hapa të tillë që shkatërrojnë themelin e demokracisë, Kushtetutën të ndeshen me bashkimin më të madh qytetar dhe me rezistencën më të madhe qytetare. Kur bie Kushtetuta çdokush është i rrezikuar”.

Instrumenti i vetëm për daljen nga kriza politike për të cilën bëri përgjegjës Kryeministrin Rama, Basha tha se janë zgjedhjet e lira e të ndershme pas përfundimit të reformës elektorale, të bazuar mbi udhërrëfyesin e Bundestagut Gjerman.

Tv Klan