I bindur që vendimi i tij për anulimin e datës së zgjedhjeve është plotësisht kushtetues, Presidenti Ilir Meta shpjegoi në të dytën dalje brenda 48 orëve se këtë akt e ndërmori për t’u dhënë mundësi palëve të gjejnë një zgjidhje, për të mos e çuar vendin në kaos.

Akuzave se ka qenë i koordinuar me opozitën për të anuluar 30 Qershorin, kreu i shtetit iu përgjigj duke dhënë detaje nga bisedat që kishte patur me Kryeministrin Rama dhe kreun e demokratëve përpara marrjes së vendimit.

Por a e ka ndërmarrë këtë vendim Presidenti Meta nën presionin e Reformës në Drejtësi, sikundër pretendon maxhoranca?

Meta komentoi edhe qëndrimin e Brukselit dhe kreut të OSBE-së Lajçak, të cilët apeluan që shqiptarët të votojnë brenda afateve ligjore. Presidenti nuk mohoi as mundësinë e shpërndarjes së parlamentit, vendim për të cilin thotë se ka ende kohë për ta shqyrtuar.

Nismën për shkarkimin e tij e sheh të lidhur me vullnetin e maxhorancës për të mos zgjidhur krizën. Po sa shanse ka që kriza të zgjidhet në këto kushte, presidenti nuk dha një përgjigje të prerë.

Tv Klan