Me banorët maqedonas të Pustecit, presidenti Ilir Meta foli në gjuhën e tyre, kur bëri urimin e festës së Shën Marenës.

Kurse me kryebashkiakun Erjon Veliaj zgjodhi të mos komunikojë me gjuhën politike, përmes të cilës ai e akuzon çdo ditë për mosdekretimin e ligjit për Teatrin.

 “E ftoj që t’i referohet gjithmonë faqes zyrtare të Presidentit të Republikës, pasi jam i sigurt që argumentet, të cilat janë dhënë nga Institucioni i Presidentit, bazohen vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në marrëveshjet ndërkombëtare ku ne jemi palë dhe të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar, dhe padyshim në të gjithë legjislacionin tonë në fuqi”.

Meta u pyet nga gazetarët edhe për bllokimin e shkollës së Magjistraturës. Sipas kreut të shteti, zgjidhja duhet të vijë vetëm përmes dialogut.

 “Unë jam i bindur se nxitja e konfliktit as nuk i  ka shërbyer deri më tani Reformës në Drejtësi, dhe as nuk do t’i shërbejë në të ardhmen. Vendi ka nevojë për një Reformë në Drejtësi, e cila bazohet fort te pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë, te integriteti i krijimit të tyre. Dhe në këtë drejtim unë inkurajoj vetëm dialogun për të zgjidhur çdo çështje në mënyrën më transparente dhe me integritet”.

Socialistët dhe demokratët ende nuk e kanë nisur dialogun për t’i hapur rrugë vitit te ri akademik për shkollën e Magjistraturës. Oferta e fundit nga mazhoranca është që PD ta hartojë vetë amendimin për ligjin dhe bashkë ta votojnë në seancën më të parë parlamentare.

Tv Klan