Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim online me përfaqësues të shoqërisë civile për zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i shtetit tha se vendi i ka mundësitë që t’i ngjajë Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për shembullin e dhënë për organizimin e proceseve zgjedhore.

Ndër të tjera, Meta tha se nuk pret që zgjedhjet e lira të vijnë nga drejtësia, sepse sistemi ka pasur probleme. Sipas kreut të shtetit, kjo është shkaktuar nga mënyra se si është zbatuar Reforma në Drejtësi.

“Nuk pres nga drejtësia të vijnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme sepse i dimë të gjithë problemet që ka sistemi i drejtësisë dhe për vetë mënyrën se si është zbatuar Reforma e Drejtësisë. Nëse do kishte funksionuar Prokuroria dhe SPAK, nuk do kisha marrë iniciativat që kam nisur. Bundestagu ka vite që kërkon hetimin e krimeve zgjedhore, që ende nuk po hetohen plotësisht. Nëse nuk erdhi ajo drejtësi që prisnim për dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, unë jam i bindur se nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të vijë dhe do të çlirohet edhe drejtësia nga kjo kapje e jashtëzakonshme dhe trysni politike. Së bashku të rritim vëmendjen dhe monitorimin e të gjitha institucionet për rastet e veprave penale që prekin zgjedhjet”, tha Meta./tvklan.al