Rama: Do të dëgjojmë një arbitër si Komisioni i Venecias

Presidenti Meta nuk do të shkarkohet.

Shumica, si iniciatore e nismës se Komisionit Hetimor për kreun e shtetit vendosi të marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe mos t’i cilësojë si shkelje të rënda, si shfuqizimin e datës së zgjedhjeve Qershorin e shkuar, ashtu dhe mos kryerjen e ceremonisë së betimit për Arta Vorpsin, si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Arsyet e kësaj vendimmarrje i thotë kryeministri në parlament.

“Ne mendojmë që Ilir Meta duhet shkarkuar, por ne jemi ndryshe. Por në respekt të konstatimeve të komisionit, uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë Presidentin, por përkundrazi ka nxjerrë në pah një nga një të gjitha shkeljet”.

Retorika e ashpër kundër Presidentit, që e quan tutor të opozitës nuk mungoi dhe për kreun e maxhorancës, Ilir Meta si president, për keqpërdorimin që i ka bërë institucionit të Presidencës, nuk ka të krahasuar me asnjë nga paraardhësit.

“Përpara Ilir Metës, Bujar Nishani duket si Xhorxh Washingtoni. Ilir Meta e ka kthyer zyrën e Presidentit në një seli të operacioneve politike të njënashme, në një vatër të ndezjes  të zjarreve, duke e përdorur kushtetutën si letër dhe mllefin e tij ndaj kësaj shumice si benzinë, tutor i opozitës”.

Por për të shmangur çdo shkelje të Kushtetutës, siç mendon Rama se Meta ka bërë gjatë kësaj periudhe që drejton shtetin, por dhe për çdo drejtues të atij institucioni, shumica përsërit një refren të vjetër në politikën shqiptare, domosdoshmërinë e ligjit për Presidentin.

“Një ligj organik për Institucionin e Presidentit, ku të përfshihet dhe përcaktimi për mosbllokimin në të ardhmen e proceseve zgjedhore në vend. Imagjino një President që thotë nuk të thëras në betim, kjo nuk mund të vazhdojë më, ashtu si kundër nuk mund të ndodhë më që Presidenti të refuzojë të dekretojë ministra”.

Presidentit, por dhe opozitës jashtë parlamentit, Rama i bën të qartë se do t’i shkojë deri në fund nismës për të ndryshuar Kushtetutën në 30 Korrik.

“Të mos lodhen duke kundërshtuar 30 Korrikun. 30 Korriku është kryer. Presidenti nuk ka asnjë të drejtë mbi vendimin e Parlamentit për ndryshimin e Kushtetutës, nuk ka fare. Duhet ta pranojë siç do ta pranojmë të gjithë”.

Tv Klan