Meta nuk tërhiqet: Më 2 Mars të paralajmërojmë bandën e Rilindjes

Meta nuk tërhiqet: Më 2 Mars të paralajmërojmë bandën e Rilindjes

08:52 20/02/2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ftoi qytetarët që më 2 Mars të dalin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i dhënë paralajmërimin e fundit, asaj që e konsideron bandë dhe që sipas tij “përdhunon çdo ditë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

Sipas Metës, kokëfortësia e Rilindjes për të pushtuar në mënyrë mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë grusht shteti. Qëllimi sipas kreut të shtetit është instalimi i një diktature të pakicës që nuk do lirinë e popullit shqiptar.

“Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie.

Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë. Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës. Shqipëria e para! Shqiptaria e shqiptarëve”, tha Meta.

Të mërkurën, kreu i shtetit u takua me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Kjo e fundit u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Takimi erdhi pas konferencës së donatorëve, por edhe pritshmërive që kanë SHBA-të për vendin tonë pas situatës së fundit politike.

Ndërkohë, kreu i shtetit Ilir Meta më herët doli në një konferencë për shtyp. Ai tha se kreu i qeverisë Edi Rama është ideatori, frymëzuesi dhe ekzekutori i puçit të shtetit për kapjen e drejtësisë. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, ai paralajmëroi edhe një tubim me qytetarët më 2 Mars./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi