Presidenti Ilir Meta është ndalur këtë të shtunë për të bërë një krahasim të votave të pavlefshme të këtyre zgjedhjeve që lamë pas me ato të 4 viteve më parë dhe të vitit 2013.

Meta thotë se kur Rama mori në dorë çelësat e qeverisë për herë të parë në vitin 2013 vetëm 1.39 përqind e votave ishin të pavlefshme. Në po të njëjtat ujëra votat e pavlefshme qëndruan edhe në vitin 2017 me 1.98 përqind vota të pavlefshme.

Por këtë viti, sipas kreut të shtetit sipas rezultateve paraprake të KQZ-së votat e pavlefshme janë rritur ndjeshëm dhe kanë shkuar deri në 5%.

Prandaj sipas Presidentit është shumë i rëndësishëm numërimi dhe rinumërimi i këtyre votave për të rritur besimin e qytetarëve.

“Ndaj numërimi dhe rinumërimi i çdo vote të pavlefshme është vendimtar për të rritur besimin e qytetarëve, të cilët mbajtën radhë të gjata për të shprehur vullnetin e tyre më 25 prill. Me qetësi dhe transparencë është tepër e rëndësishme, që ky proces, të vazhdojë deri në fund”.

Meta thotë se, “Krijimi i fokuseve të tjera, përtej kësaj çështjeje madhore për besimin te zgjedhjet dhe demokracia, është vetëm vijim i teatrit të radhës kundër Sovranit dhe vullnetit të Tij”./tvklan.al