“Na merr të keqen. Ka frikë se është subjekt i OFL”

Mazhoranca i ka kthyer përgjigje Presidentit i cili në manifestimin e 2 Marsit kërcënoi me shpërndarjen e Parlamentit, nëse nuk heq dorë nga cënimi i kompetencave të tij kushtetuese.

Taulant Balla, me fjalë të thjeshta i ka bërë të qartë kreut të shtetit se sipas socialistëve nuk ka asnjë kompetencë për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa thotë se Meta po e bën gjithçka për shkak se është subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.

“Presidenti në gjuhë popullore i vjen anash Kuvendit në kuptimin e së drejtës kushtetuese për të shpërndarë Kuvendin. Presidenti duhet të kuptojë qartë që është në hetim nga Kuvendi përsa i përket shkeljeve të njëpasnjëshme kushtetuese. Mos ia zini veshët kot dhe mos jepni më arsye për diskutim në tryezat e shtëpive të shqiptarëve me historinë që Presidenti pas 15 Marsit do shpërndajë parlamentin se kjo është qesharake. Kjo nuk duhet marrë fare në konsideratë”.

Megjithatë, ndryshe nga herët e tjera kur janë shprehur të prerë për fatin e dekreteve të Metës që ka kthyer ligje të rëndësishme për rishqyrtim, Balla tha se do të marrin një vendim pasi të jenë njohur me argumentet e Presidentit lidhur me ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

“Unë nuk përgjigjem me emocione, unë përgjigjem me respekt dhe drejtësi përkundrejt qasjes që duhet të bëjmë kundrejt Kushtetutës. E garantoj Presidentin që do ta shqyrtojmë dekretin dhe shpresoj që të gjejmë në to argumente që të merren në konsideratë”.

Meta i dha kohë mazhorancës deri në 15 Mars që të reflektojë dhe të heqë dorë nga ndryshimet ligjore që i heqin ekskluzivitetin kreut të shtetit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan