“Detyra ime t’i tregoj vendin kësaj bande uzurpatore”

Presidenti Ilir Meta ashpërson tonet duke i kujtuar Parlamentit se mund të shpërndahet me një dekret të tijin. Pas ngërçit të krijuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, kreu i shtetit theksoi se do t’i kundërpërgjigjet asaj që e quajti bandë uzurpatore.

“Kam një paralajmërim të fundit për ata që mendojnë se betimi i Metës me dorën mbi Kushtetutë si president ka qenë një proces formal apo ceremonial. Parlamenti me një dekret shpërndahet. Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet. Presidenti me një ‘impeachment’ nga një Parlament legjitim, jo nga ky. Përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. E nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale, do t’i bëj të qartë se në fund fare kjo është Kushtetutë që mbron popullin e Shqipërisë. Dhe do të jetë detyrë e popullit të Shqipërisë dhe e Presidentit të Republikës së Shqipërisë që t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore edhe të gjithë shërbëtorëve dhe skllevërve të tyre kudo ku janë. Besoj se jam shumë i qartë”.

Presidenti theksoi se nuk ka krizë në Gjykatën Kushtetuese. Ai deklaroi se çdo përpjekje për dhunimin dhe kapjen e këtij institucioni, do të jenë të dështuara.

“Është tërësisht e zgjidhur. Për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën dhe meqenëse po afron 22 Nëntori, dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën, dhe këto parime të Kushtetutës që janë edhe sot të sanksionuara, pavarësisht nga deformimet e pandershme. Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”!

Meta kërkoi që secili institucion të zbatojë kompetencat që i ngarkon, ndërsa siguroi se vendimet e tij do të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Tv Klan