Opinion- Ilir Meta një nga figurat e rëndësishme politike në vend ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” më datë 30 Tetor të vitit 2003.

Vota e tij abstenim në Parlament në atë periudhë rrëzoi dy ministrat e propozuar nga kryeministri i asaj kohe Fatos Nano, dekretuar nga Presidenti dhe votuar nga kryesia e Partisë Socialiste.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, Meta tha se vota e tij abstenim ishte pasojë e një raporti problematik dhe debatit të vazhdueshëm në Partinë Socialiste.

Ai u shpreh gjithashtu se edhe nga posti i kryeministrit dha dorëheqjen sepse nuk mund të ishte kukull në duart e politikanit Fatos Nano.

“Ngjarja e fundit në Parlament ku një grup deputetësh abstenuan për dekretet e kryeministrit Nano për emërimin e dy ministrave të rinj, nuk është ngjarje e papritur dhe as rrufe në qiell të hapur. Është pasojë e një raporti problematik dhe e një debati të vazhdueshëm që zhvillohet në Partinë Socialiste. U duk sikur u ngrit me rastin e zgjedhjes së Presidentit konsensual dhe krijimit të qeverisë Nano, por sigurisht që kishte lindur më parë. U rishfaq në mënyrë të hapur dhe konsistente që nga Qershori i këtij viti”.

“Vota jonë e ka një shpjegim publik që ka të bëjë me përpjekjen tonë për të frenuar personalizimin që po i bën qeverisjes dhe Partisë Socialiste, Nano. Ai është duke injoruar çdo mendim ndryshe dhe çdo përpjekje konstruktive për përmirësimin e qeverisjes. Unë nuk kam asnjë synim për t’u futur në qeveri sepse po të kisha nuk do të kisha dhënë dorëheqjen, por për shkak se nuk mund të jem një kukull në duart e Nanos dhashë dorëheqjen. Askush nuk më pengonte të rrija kryeministër, madje as Nano, por ai kërkonte që të rrija në qeveri me kushtet e tij. Edhe nga detyra e ministrit të Jashtëm u largova i bindur se qeveria nuk funksiononte”, tha Meta. / tvklan.al