Presidenti Ilir Meta ka denoncuar këtë të hënë rastin e një sipërmarrësi në lidhje me çështjen e patronazhistëve. Meta solli në Presidencë, Erion Manen, i cili zotëron një biznes dhe sipas tij është gjobitur padrejtësisht nga autoritetet. Kreu i shtetit tha se Mane ka qenë në survejim pas një takimi që ka bërë në Presidencë. Për rastin, kreu i shtetit tha se do t’i drejtohet prokurorisë. Por Meta nuk ndal me kaq. Ai tha se patronazhistët i ngacmonin vajzën e vogël.

“Nesër do të bëjmë padi. Erionit që sot do t’i vë një nga shoqëruesit e mi që të rrijë me të, sepse siç ua kam thënë më i survejuar jam vetë. Bile patronazhistët, duke ditur pikat e dobëta, më ngacmojnë edhe vajzën e vogël që e kam pikë të dobët. Para pak ditësh kur dhashë një intervistë unë, i kishin çuar patronazhistët një lajm të një agjencie lajmesh sikur unë kisha sulmuar gruan e zotit Damian. Edhe ajo më thotë mua, “babi të lutem mos pi më”, se i thonë patronazhistët që unë pi shumë dhe humbas qetësinë dhe humbas kontrollin. “Babi mos pi më të lutem, babi nuk ke pse merresh me gruan e tjetrit”, më tha mua ajo. “Po jo moj të keqen babi unë nuk jam marrë me gruan e tjetrit”, i them unë. “Ja shikoje”, thotë ajo. Ku shikoj lajmin unë, “ta marrë vesh Damiani me gruan e tij”. Ou thashë “ç’është ky lajm, mos kam bërë ndonjë lapsus”. “Jo moj të keqen babi,”, unë i thashë “Damiani me gurunë e tij”. “Jo më tha mua, ja shikoje lajmin. Marr Tedin dhe thashë mos kam bërë ndonjë gabim se unë nuk jam mësuar të merrem as me gratë e të tjerëve, as me gratë e shokëve e kështu me radhë, kur thotë Tedi do ta korrigjojmë se është gabim. I çojnë gocës patronazhist se e dinë ata ku janë pikat e dobëta. Thonë ata “babi të qetësohet, thojini që po e ngre zërin shumë, të ruajë figurën e Presidentit”. Të ruajmë ne qetësinë kur të gjithë qytetarët janë në survejim, të gjithë gjyqtarët janë në survejim, ku të gjithë prokurorët janë në survejim”. Nuk e ka Presidenti për veten e vet. Kur politikanët të gjithë janë në survejim, kur edhe politikanët e opozitës janë në survejim dhe i kapin ndonjë gjë të vogël dhe u bëjnë shantazh pastaj se doli kjo doli ajo. Jemi në disa ditë mjaft historike për 100 vitet që vijnë për kombin tonë”, tha Meta./tvklan.al