Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Kreu i shtetit tha gjatë një prononcimi për mediat nga Korça se kjo është bërë për t’i dhënë kohë mazhorancës që të reflektojë.

“Për t’i dhënë një mundësi tjetër që të reflektojë të respektojë këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse sepse përndryshe padyshim që do të mbajë përgjegjësi kritike jo vetëm për këtë precedent tepër të rrezikshëm në tre dekada të ndryshimeve të rregullave të lojës në mënyrë të njëanshme, por ajo që është e rëndësishme për vonesa për procesin e negociatave. Ju e dini shumë mirë se respektimi i kësaj marrëveshje ka qenë dhe është një kusht i padiskutueshëm i BE-së, përveç disa kushteve që përsëri kanë të bënë me zgjedhjet e kaluara”, tha Meta.

Meta u shpreh se është në të njëjtën gjatësi vale me popullin shqiptar.

“Presidenti është shumë i qetë, për arsye sepse Presidenti është në një gjatësi vale me gjithë popullin shqiptar. Gjithë populli shqiptar pavarësisht nga preferencat partiake apo politike, apo gjithë populli shqiptar që është pa parti dhe i mërzitur nga to dhe nga lojërat e tyre kërkojnë t’i jepet fund kësaj krize artificiale, kësaj mungese skandaloze të legjitimtetit të gjitha institucioneve në radhë të parë të Kuvendit, i cili kurrë në histori nuk ka qenë në këtë gjendje jo kushtetuese. Populli kërkon paqe, qetësi dhe integrim europian. Këto nuk arrihen pa patur një reflektim nga parlamenti për këtë kthim që ka bërë Presidenti. Presidenti e ka motivuar në mënyrë të qartë. Është bërë një punim shkencor nga ekspertë të Presidenti dhe ekspertë ndërkombëtarë që kanë punuar për të gjithë standardet që shkel ky vendim i njëanshëm që ka marrë Kuvendi. Shpresoj që ata të lexojnë, të thellohen, të reflektojnë. Presidenti dëshiron të ketë zgjedhje mes forcave të ndryshme politike. Dëshiron që të ndjekë programet e partive lidhur me situatën e pandemisë, menaxhimin e saj, problemet ekonomike, taksat dhe çështjet e tjera. Presidenti ka vetëm një votë që do ta japë në mënyrë të fshehtë më 25 Prill”, tha Meta.  /tvklan.al