Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë në rrjetet sociale deklaratën e Raportuesit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, Stefan Schennach, i cili shprehte shqetësimin në lidhje me mundësinë që parlamenti të miratojë nismën e njohur si paketa antishpifje.

Meta shton se duhet reflektuar sa më parë, ndërsa shton se, “Çdo kokëfortësi, jo vetëm që nuk i shërben çeljes së negociatave, por nuk do të frikësojë askënd”.

Sipas Shennach, legjislacioni i propozuar nga kryeministri Rama synon të krijojë një organ administrativ që do të fuqizohet dhe do të urdhërojë mediat të heqin raportet e lajmeve mbi çështje të tilla si ‘cenimi i dinjitetit të individëve’. 

“Është e qartë se një ligj i tillë mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias për shkak të kushteve të tij të gjera”, thotë Schennach.

Schennach i referohet Opinionit të Komisionit të Venecias të 19 qershorit 2020, ndërsa i kërkon parlamentit shqiptar të heqë dorë nga propozimet aktuale dhe të rifillojë procesin./tvklan.al