Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetrotit të vrasjes së Martirëve të Demokracisë në Shkodër. Kreu i shtetit tha se 25 Prilli është një moment për të vendosur vendin në shinat e Kushtetutës dhe demokracisë. Kreu i shtetit shpjegoi edhe pse kishte shkuar në këtë ceremoni.

“Të gjithë të nisemi drejt 25 Prillit, kësaj dite vendimtare për të vendosur vendin në shinat e Kushtetutës dhe demokracisë sepse në themel të Kushtetutës sonë qëndrojnë pluralizmi politik dhe qëndrojnë zgjedhjet e lira dhe votat e lira dhe të barabarta të qytetarëve. Shkodra do të jetë në krye të këtij marshimi sepse ka qenë zemra dhe frymëzimi për demokracinë dhe në kohët më të errëta për vendin tonë. Sot jam i sigurt akoma dhe më shumë. Duke bërë çdo gjë për suksesin e demokracisë, zgjedhjet e lira, ne nderojmë jo vetëm sakrificat e martirëve të 2 Prillit, por edhe të gjithë atyre që në emër të fjalës së lirë, demokracisë dhe lirisë së besimit u martirizuan gjatë të shkuarës së errët të komunizmit.

Unë kam patur ftesën si President i Republikës nga shoqata 2 Prilli dhe kam bërë çdo gjë për të qenë sot prezent këtu sepse ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm sepse është një përvjetor i rëndësishëm mbi të gjitha sepse vendi është një situatë kritike nga e cila jam i bindur që do të dalim me sukses falë ndërgjegjësimit të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë se vota është gjëja më e shenjtë që kanë”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se çdo përgjegjësi që ka ndaj qytetarëve do ta shlyejë duke mbrojtur demokracinë.  

“Çdo përgjegjësi dhe çdo problem që kam do ta shlyej duke qenë në krye të mbrojtjes së demokracisë dhe të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë më 25 Prill”, tha Meta.

Kreu i shtetit foli edhe për akuzat e Ramës, sipas të cilit, Meta kërkon të marrë në dorë frenat e opozitës. Ai u shpreh se nuk cakton rolin e askujt dhe i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë.

“Unë nuk jam këtu të caktoj rolin e askujt. Unë jam këtu t’i them çdo qytetari të Shqipërisë se është Zot i vendit të tij dhe kjo gjë materializohet përmes votës së tij sepse për të folur edhe gjatë komunizmit nuk është se shkodranët dhe shqiptarët nuk kanë folur, por pamundësia për të votuar na solli atje ku e dimë të gjithë. Tani kemi mundësinë, kemi votën tonë, dhe ta përdorim për të ardhmen, për të mos lejuar më shpopullimin e Shqipërisë për t’i zëvendësuar ata me qytetarë nga vende të tjera. Do të mjaftonte një fshat i Indisë për të shpopulluar të gjithë Shqipërinë”, tha Meta. /tvklan.al