Meta: Përpjekja ime u minua, tani do të kaloj më pak kohë me Tiranën politike



Meta: Përpjekja ime u minua, tani do të kaloj më pak kohë me Tiranën politike

13:32 29/05/2020

Presidenti Ilir Meta u shpreh këtë të premte se përpjekjet e tij për të pasur një konsensus mes palëve për të mirën integrimit të vendit u minuan. Ai tha se tashmë do t’i përkushtohet Shqipërisë së qytetarëve dhe jo Tiranës politike.

“Dua t’ju sqaroj se pas furtunës në gotë që u ngrit javën e kaluar, kam bërë disa prononcime publike për t’i bërë plotësisht të qartë dhe transparente opinionit publik përpjekjet e mia të sinqerta për të ndërtuar konsensus mbi axhendën e integrimit europian të Shqipërisë. Brenda disa javësh do të propozohet edhe kuadri negociator për Shqipërinë nga Komisioni Europian. Por për fat të keq, edhe kësaj here përpjekjet e mia që ky moment ta gjente vendin më të bashkuar, më të përgatitur dhe më të angazhuar në axhendën e reformave, u minua. Tashmë secili aktor le të marrë barrën e përgjegjësive të veta përballë qytetarëve dhe partnerëve europianë. Siç e bëra publike gjatë kësaj jave, unë do të kaloj tani më pak kohë me Tiranën politike, dhe do t’u përkushtohem më shumë Shqipërisë së qytetarëve”, tha Meta.

Sa i përket Reformës Zgjedhore ai u shpreh se do t’i firmosë menjëherë ndryshimet që do të dalin nga Këshilli Politik.

“Për çështjen e Kodit Zgjedhor, edhe unë jam i kënaqur që ndjek në media pasqyrimin e deklaratave të aktorëve politikë dhe diplomatikë, që ka përparime. Mezi pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllen me konsensus në këtë tryezë të Këshillit Politik të gjitha ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, por dhe nga partnerët e tjerë. Menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë, në mënyrë që të japim një lajm të mirë nga Tirana edhe për qytetarët, por sidomos për partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se do të jetë një lajm i pamjaftueshëm për atë që pritet sepse serioziteti i këtyre ndryshimeve do verifikohet nga zgjedhjet në terren”.

Pyetjes së gazetarëve se kur do t’i bëjë publike provat pas akuzave që bëri se Rama i shërben një lobi pro serb në Uashington, Meta nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë.

“Gjërat janë tepër të qarta. Presidenti i Republikës ushtron me përgjegjësi detyrat e tij, në të gjitha aspektet e tyre. do të jetë këtu çdo javë për t’ju njohur me veprimtarinë e tij, për çështje që opinioni meriton të dijë vlerësimin e Presidentit të Republikës. Kjo do të ndodhë në mënyrën më koherente dhe më të qarë e transparente”.

Meta reagoi edhe për zhvillimet e fundit në Kossovë, ku Gjykata Kushtetuese u shpreh pro mandatimit që i bëri Thaçi Avdullah Hotit për kryeministër.

“Është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve”.

/tvklan.al



Të ngjashme