Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e Asamblesë së Përgjithshme për të bërë Shqipërinë anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit në OKB.

“Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global.  Sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme”, shkruan Meta.

Shqipëria bëhet për herë të parë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Vendi ynë ishte kandidatja e vetme nga vendet e Europës Lindore. Për vendin tonë votuan pro 175 vende të OKB-së nga 190 të tilla që morën pjesë në votim.

Mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit fillon nga Janari i vitit 2022 dhe do të përfundojë në Dhjetor të vitit 2023./tvklan.al