Ilir Meta akuzoi pasditen e kësaj të enjteje mazhorancën se me ligje antikushtetuese po tenton që t’i marrë kompetencat Presidentit, që sipas tij është institucioni i fundit që nuk është kapur ende nga qeveria. Në një konferencë për shtyp, ku Presidenca solli sipas saj prova të reja të asaj që e konsideron puç shtetit, Meta shfaqi një hartë institucionale të ngjyrosur me ngjyrë mavi dhe në fund me të kuqe, qëndronte institucioni i Presidencës, për të treguar kështu që ky i fundit është i vetmi që ende nuk është kapur nga mazhoranca.

“Kjo këtu është harta institucionale e shtetit tonë sot, që me Kushtetutë është shteti i së drejtës, po praktikisht ju e dini se në çfarë situate jemi. Këtu janë të gjithë institucionet, mavi… këtu se çka ngelur dhe një dreq belaje këtu në fund fare, është Presidenti. Dhe kërkojnë t’ia marrin kompetencat kushtetuese me ligje antikushtetuese, meqenëse nuk ia morën me këto mënyrat mafioze të faktit të kryer, sipas shtetit të propagandës. Pra ka ngelur edhe kjo kalaja këtu, që të bëhet e gjithë Shqipëria mavi. Nga kush? Më vjen keq ta them këtë, por më duhet ta them, sepse i kam paralajmëruar. Nga ata që e bënë Shqipërinë mavri për 50 vite të tëra”.

Meta i ftoi shqiptarët që më 2 Mars të dalin për fëmijët e tyre.

“Kanë krijuar idenë që shqiptarët sikur janë lodhur, edhe sikur janë dorëzuar. Por këta nuk e dinë akoma se ky është një popull shqiponjash dhe sorrat kurrë nuk do të bëhen shqiponja dhe shqiponjat do të mblidhet të gjithë këtu në 2 Mars për ta bërë gjithë Shqipërinë Kuq e Zi. Nuk i ftoj këtu unë shqiptarët për të ardhur për Presidentin. Presidenti është në rregull, nuk ka asnjë shqetësim, asnjë merak për veten e tij, aq më tepër për Ilir Metën. Unë i ftoj për fëmijët e tyre. Se është Shqipëria kështu (mavi), sot kemi shpopullim, jo largim”../tvklan.al