“Notën 10 për pandeminë e ka Basha, jo qeveria”

Një javë pas paralajmërimit të Kryeministrit, Presidenti Ili Meta u shfaq me maskë në daljen përpara mediave.

Mohoi që të ishte reflektim i deklaratës së kreut të qeverisë, duke thënë se në këtë mënyrë po shmangte kritikat.

“E kam pas tmerr maskën por për të mos lënë asnjë hapësirë për spekulim dhe i bëj thirrje të gjithëve dhe s’ka lidhje me thirrjen e Kryeministrit”.

I shqetësuar për situatën e pandemisë, Presidenti kërkoi sërish nga qeveria marrjen urgjente të masave, pasi sipas tij sistemi ynë shëndetësor vijon të ketë vështirësi me përballimin e shtimit të rasteve të prekura me Covid -19.

Pranoi se ishte njohur me strategjinë e masave të Ministrisë së Shëndetësisë, por notën 10 preferoi t’ia japë planit 5-pikësh të Lulzim Bashës, pa harruar të vlerësojë edhe veten në këtë proces.

“Lulzim Basha ka qenë modeli i sjelljes shembullore gjatë pandemisë. Ka qenë shumë bashkëpunues që kur ka nisur pandemia. Më duhet të them që opozita dhe ekspertët e saj kanë qenë 5 hapa para për pandeminë. Ata kanë kusuret e tyre dhe për largimin nga Parlamenti, por për pandeminë nuk kemi çfarë t’u themi. Nuk mund të vazhdojmë duke manipuluar këtë vend. Unë e ftoj qeverinë të reflektojë dhe siç bëra unë dhe po mbaj maskë. Të ulet me opozitën se ka shumë ekspertë të mirë dhe të mos shajë mjekët e t’i quajë si komentator sportiv. Opozita ka notën 10, por unë kam notën 9 për mosmbajtjen e maskës”.

Të njëjtin qëndrim pati ndaj Lulzim Bashës edhe kur u pyet për akuzat lidhur me shtëpinë e verdhë dhe raportin e Dick Marty.

“Parlamenti të ngrejë komision për këtë ligjin që thashë unë, ku 1 apo 2 oligarkë, bashkë me një drejtor partiak duan të vjedhin qytetarët. Nëse ngrihet një komision për raportin e Dick Marty, është një turp i madh i “Kalit të Trojës”, pasi dihet se kush i fabrikoi akuzat e Dick Marty dhe kush shtete sponsorizuan dhe kërkon që të fusë përçarjen mes shqiptarëve”.

I prerë ishte kur u pyet edhe për nismën e mazhorancës që i kushtëzon kreut të shtetit disa prej kompetencave që ia njeh Kushtetuta.

“Kushtetuta vijë e kuqe, flakë e kuqe. Mbi Kushtetutën është populli, ai i 2 Marsit aty është”.

Pas ligjit për metrologjinë që e ktheu për rishqyrtim në kuvend, tha se fshihet një tjetër shkelje antikushtetuese që synon të favorizojë oligarkët, aryse kjo që e ka detyruar t’i drejtohet edhe SPAK-ut.

“Tani kalohet në katër PPP, dhe kjo gjë tani bëhet me koncensione dhe tendera me ligj, siç u bë me teatrin, korrupsion legjislativ. Kjo nuk është kohë as për tendera e PPP, ka emra konkret që qëndrojnë pas këtij korrupsioni publik por është koha për të mbështetur shëndetin publik dhe qytetarët që s’përballojnë dot kostot”.

Tv Klan