“Të ndalim Kryeministrin që ka kapur të gjitha pushtetet”

Presidenti i Republikës Ilir Meta bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi për të mbrojtur Kushtetutën.

“Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar për të bërë referendum në mbrojtje të Kushtetutës. Le të jetë populli shqiptar nëse vendos të rikthehet në diktaturë apo të mbrojë demokracinë. Referendumi është demokracia direkte. Presidenti do bëjë gjithçka që kjo e drejtë të ushtrohet. Të mbrojmë sot Kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tone”.

Meta theksoi se do e ndërmarrë këtë nismë pasi qeveria po kap të gjitha pushtetet.

“Jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual. Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë, ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ”.

Kreu i shtetit përmendi disa nga shkeljet ligjore që kanë ndodhur.

“Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh. Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime njëpartiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore; Kuvendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta. Ku Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota, është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë”.

Presidenti u zotua se do të mbrojë Kushtetutën, e cila sipas tij është vija e kuqe e pakalueshme nga armiqtë e saj.

Tv Klan