Meta: Prekja e njëanshme e Kushtetutës, e papranueshme


Meta: Prekja e njëanshme e Kushtetutës, e papranueshme

11:33 24/07/2020

Presidenti takon ambasadorët e BE dhe Bashën

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë dhe ambasadorin britanik, kanë “zbarkuar” mëngjesin e sotëm në zyrën e Presidentit Meta.

Situata politike që është rinxehur pas propozimeve të shumicës për të ndryshuar Kushtetutën për çështjet që prekin zgjedhjet kë qenë siç njofton dhe vetë Presidenca, çështja për diskutim.

Vetë Meta bëri të ditur që i ka njohur dhe diplomatët në takim me qëndrimin se nëse do të ketë ndryshime të njëanshme të Kushtetutës nga ana e tij do të konsiderohet një akt i papranueshëm që për të përkthehet në përpjekje që synon të asgjësojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Sa i takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të miratuara nga Parlamenti sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, kreu i shtetit siguron se do t’i dekretojë pa asnjë vonesë.

Por për të është me rëndësi dhe vijimi i punës së Këshillit Politik vetëm në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.

Të njëjtin qëndrim Presidenti, siç pohon, ia ka shprehur dhe kreut të PD, të cilin e ka thirrur për të folur për këto çështje. Veç falenderimeve për kontributin në arritjen e marrëveshjes së 5 Qershorit, Meta e ka inkurajuar  Bashën që të vazhdojë puna në Këshillin Politik dhe i kërkon mos bjerë pre e provokimeve të shumicës.

Përkthimin në ligjin elektoral të gjithë ndryshimeve të dakordësuara mes palëve brenda dhe jashtë Parlamentit e përshëndetën një ditë më parë dhe ndërkombëtarët të cilët kërkuan që dhe procesi i ndryshimeve kushtetuese të vazhdojë në të njëjtën frymë.

Nuk munguan dhe zëra si ai i deputeti gjerman të CDU-CSU, Peter Bojer, i cili kërkoi që konsensusi për ndryshimet kushtetuese të arrihet përpara 30 Korrikut.

Tv Klan




Të ngjashme