Presidenti i Republikës Ilir Meta priti këtë të mërkurë në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane Luigi Di Maio.

Në një deklaratë për mediat, mësohet se kreu i shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 që goditi vendin tonë.

Ai kërkoi gjithashtu asistencën italiane edhe për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura. Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.

“Për rajonin, nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian, ndaj e vlerësojmë mbështetjen e plotë të Italisë për këtë objektiv madhor”, u shpreh kreu i shtetit.

Presidenti Meta vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë.

“Gjithsesi, ne presim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve kryesorë italianë në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të promovuar praninë e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri”, theksoi Meta.

Kreu i shtetit tha se komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali mbetet një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. /tvklan.al