Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim ish-Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, me rastin e dorëzimit të detyrës së tij në krye të këtij institucioni tepër të rëndësishëm kushtetues.

“Presidenti Meta e falenderoi Leskaj për ushtrimin me përgjegjshmëri të kësaj detyre deri në fund, dhe vlerësoi rolin e tij për modernizimin e KLSH-së, përdorimin e standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t), për forcimin e llogaridhënies, transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në administratën shtetërore”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e Presidencës.

Ndërkohë mësohet se Leskaj e falenderoi Kreun e Shtetit për mbështetjen maksimale institucionale që i ka dhënë për përmbushjen e detyrës.

Arben Shehu do të jetë ai që do të marrë në dorë çelësat e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e tij, e propozuar nga Presidenti Meta u votua nga parlamenti të enjten e kaluar, gjatë seancës plenare. Në të njëjtën seancë, Shehu bëri betimin për marrjen e detyrës së re./tvklan.al