Sot në Berlin, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

Në mënyrë të veçantë, kreu i shtetit  vlerësoi vëmendjen e madhe që Presidenti Steinmeier dhe Gjermania u kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke u ndalur te zhvillimet më të fundit në rajon, të dy Presidentët ndanë të njëjtin vlerësim se arritja e Marrëveshjes së Prespës është një shembull i suksesshëm që inkurajon edhe Kosovën edhe Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe integrimit europian.

Nga ana e tij, Presidenti Steinmeier e siguroi Presidentin Meta se Gjermania do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm dhe mbështetës kryesore në proceset integruese për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit, me synim jo vetëm ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkan, por mbi të gjitha, për t’i ndihmuar ata në avancimin e reformave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, forcimin e shtetit ligjor dhe prosperitetin e popujve të rajonit.

Në fund të takimit, Presidenti Meta e ftoi Presidentin Steinmeier për një vizitë zyrtare në Shqipëri, që u mirëprit me kënaqësi./tvklan.al