Brenda 2 ditëve Komisioni Parlamentar i Ekonomise ka rrezuar 3 nga dekretet e presidentit , qe kthenin per rishqyrtim në kuvend ligjet për: një zgjatje të kontratës së koncesionit në  Porto-Romano, ligjin për shërbimet e pagesave si dhe amendimet për përjashtimin nga TVSH të jahteve.

Për këto votime ka reaguar kreu i shtetit i cili e akuzon parlamentin së në mënyrë të përsëritur nuk e ka njoftuar institucionin e presidentit për të qenë të pranishëm në mbledhje. Meta nënvizion se kjo është me evidente në rastet e kthimit të ligjeve që  denoncojnë antikushtetutshmërinë si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh. Kreu i shtetit e cilëson këtë sjellje të kuvendit si korrupsion legjislativ.

Qëllimisht, kur shqyrtohen Dekretete Presidentit të Republikës, ftohen për të qënë të pranishëm vetëm përfaqësues të Qeverisë, që bëjnë reklamimin e radhës së ligjit, duke fshehur të metat e rënda që paraqesin këto akte të reja ligjore.

Këto veprime kanë për synim keqinformimin e publikut, fshehjen e antikushtetutshmërisë së këtyre ligjeve, cenimin e interesit publik, si dhe fshehjen e kostove që do të prodhojnë këto ligje, kosto që do të duhet t`i paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë në të ardhmen.

Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.

Në gjuhën juridike, kjo do të thotë “korrupsion legjislativ”, që është akti më i rëndë i shpërdorimit të pushtetit publik”.

Kreu i shteti i kërkon SPAK të nis hetimet për procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve dhe të vendos përpara përgjegjesisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese.

Tv Klan