Pasi  u njoh nga afër me shqetësimet e banorëve të “Astirit”, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe, Presidenti Ilir Meta i kërkon qeverisë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit anulimin e menjëhershëm të këtij projekti. Ai thotë se procedurat e tenderimit për realizimin e investimit në këtë segment rrugor janë shpallur, zhvilluar dhe kanë përfunduar ndërkohë që projekti nuk ishte miratuar ende nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

“Hapja e procedurave të tenderimit, pa një vendim të autoritetit vendimarrës për miratimin ligjor të projektit Këshilli Kombëtar i Territorit, përveç se është shkelje e rëndë ligjore, krijon bindjen se ky proces ka qenë selektiv, i paracaktuar dhe në kushte ekstreme të kapërcimit me dashje direkte të procedurave të detyrueshme ligjore”.

Meta ka listuar listuar disa prej institucioneve që ai thotë se në shkelje të ligjit kanë refuzuar t’i t’i japin informacion Presidentit për procedurën e ndjekur lidhur me këtë projekt.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria e Drejtësisë

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit/Integrimit të Ndërtimeve/Zonave Informale

Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Ministria e Brendshme

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit

Mosdhënia e informacionit ndaj Presidentit të Republikës, i cili është kërkuar në mënyrë të përsëritur prej Tij, forcon bindjen se, këtij projekti i ka munguar qëllimisht transparenca në çdo hallkë të procesit në kundërshtim me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Shqipërisë”.

Meta e cilëson të nxituar edhe rihapjen e procesit të tenderimit për këtë projekt pas anulimit të tenderit për kompaninë “DH Albania”, e cila rezultoi me një historik fiktiv dhe dokumente të falsifikuara.

“Kjo sepse, aktualisht organi i Prokurorisë është duke kryer hetime në këtë çështje, dhe nga ky hetim mund të zbulohen fakte dhe rrethana të cilat mund të sjellin pasoja të drejtëpërdrejta që ndikojnë në mënyrën se si kjo vepër duhet realizuar”.

Bazuar në këto konstatime, kreu i shtetit kërkon të risin procedurat me garë të hapur për të realizuar një projekt të ri, që do të duhet t’i nënshtrohet një dialogu me banorët e zonës.

“Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të anullojnë menjëherë Projektin. Të pezullohet zbatimi dhe të shfuqizohet menjëherë cdo procedurë apo akt administrativ që ka të bëjë me përjashtimin e objekteve nga procesi i legalizimit apo i prishjes së ndërtimeve, referuar projektit ekzistues. Të pezullohet menjëherë çdo procedurë shpronësimi për interes publik e cila ka nisur me kërkesë të ARRSH-së, bazuar në projektin ekzistues”.

Sipas kreut të shtetit një tërësi punimesh janë kryer në mungesë të Lejes së Ndërtimit për këtë projekt, gjë e cila është një tjetër shkelje e rëndë për ARRSH-në si autoritet zhvillues i projektit.

Tv Klan