Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar të mërkurën pas vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në vitin 2019 nëse plotësohen kushtet e paracaktuara.

Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri. Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE

”, tha Meta.

Kreu i shtetit tha në një deklaratë për media se një vit kalon shpejt, por Shqipërinë e pret një provim shumë i vështirë në Qershorin e ardhshëm.

Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i Qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim.

Meta tha se kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. /tvklan.al