Presidenti Ilir Meta vijon të insistojë në zbardhjen e ngjarjes së Elbasanit në 21 Prill, kur nga përplasja me armë u vra 1 person dhe u plagosën 4 të tjerë.

Në daljen e dytë për mediat sot, kreu i shtetit i ka drejtuar 5 pyetje drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazit.

Ndër të tjera e pyet nëse vëllai i tij kandidon për deputet në këtë qark nën siglën e Partisë Socialiste.

“Jam këtu për të drejtuar 5 pyetje për Prokurorinë e Elbasanit dhe drejtuesin e saj z.Kreshnik Ajazi.

Përse është vonuar administrimi i materialit kallëzues të PD, dërguar për kompetencë prej SPAK-ut? Përse z.Gazment Bardhi si kallëzues është thirrur për t’u paraqitur vetëm në datën 30 Prill, 5 ditë pas mbajtjes së zgjedhjev?

Si mund të ndihmojnë këto veprime hetimore kaq të ngadalta me vetëdije parandalimin e krimit zgjedhor në Ebasan?

Përse duhet që z.Gazment Bardhi të paraqitet në datën 30 Prill, 5 ditë pas zgjedhjeve dhe jo urgjentisht? Përse duhet kjo vonesë kaq e madhe?

A kandidon për deputet në këto zgjedhje si kandidat i partisë në pushtet në qarkun Elbasan vëllai juaj Besjon Gëzim Ajazi? A ndiheni ju në përmbushjen e detyrës tuaj në konflikt të pastër interesi lidhur me këtë fakt? Dhe nëse po, a keni vlerësuar ndonjëherë të dorëhiqeni apo të kërkoni transferimin nga drejtimi i Prokurorisë në Elbasan?

Zotërinj prokurorë të Elbasanit, a ju vret ndopak ndërgjegjia që vetëm 1 ditë pas njoftimit tuaj për t’u paraqitur për sqarime nga kallëzuesit në datën 30 Prill pas zgjedhjeve, ndodhi përplasja me armë dhe fatkeqësisht përgjakja në qytetin e Elbasanit”? /tvklan.al