Meta, 11 pyetje për ambasadorin Soreca

Meta, 11 pyetje për ambasadorin Soreca

15:55 03/07/2019

Një ditë pasi akuzoi disa nga ambasadorët e akredituar në Tiranë se i hartojnë raportet siç i kërkon kryeministri Rama, Presidenti Meta i është përgjigjur me kritika edhe thirrjes së ambasadorit të bashkimit Europian për nisjen e dialogut.

Ai ka zgjedhur t’i drejtoje ambasadorit Soreca 11 pyetje për angazhimin që ai personalisht ka ndërmarre për nxitjen e dialogut.

“A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më parë z.Ambasador?

A morët ju ndonjë nismë konkrete për vendosjen e këtij dialogu mes palëve?

A i kërkuat ju mbështetjen Presidentit për dialog, me qëllim që t’ja kursenim shfaqjen e shëmtuar të 30 qershorit Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane?

A e dini ju që Presidenti mori një nismë për anullimin e zgjedhjeve me qëllim vendosjen e dialogut mes palëve?

Përse nuk e mbështetët ju Presidentin në këtë inisiativë publikisht?

A e dini ju që në 24 maj 2019 përfaqësuesit zyrtarë të grupit kryesor në Bundestag, deputetët Wadephul dhe Schmidt, përmes një qëndrimi zyrtar kërkuan vendosjen urgjent të dialogut për zgjidhjen e krizës, dhe theksuan edhe rëndësinë e një date të re për zgjedhjet vendore, që të ishin demokratike dhe gjithpërfshirëse, si domosdoshmëri për të ndihmuar çeljen e negociatave?

A e dini ju që Presidenti menjëherë reagoi duke mbështetur këtë nismë dhe tregoi vullnetin e tij për të dekretuar një datë të re të zgjedhjeve, pas dakordësimit të palëve?

A e dini ju që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 13 tetor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale gjithpërfshirëse? Çfarë qëndrimi keni ju?

A e keni sqaruar z. Rama se zgjedhjet pa opozitën nuk plotësojnë kriteret e Kopenhagës, shkelin parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe pamundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit në tetor 2019?

A e dini ju që po dje Presidenti ka theksuar, duke patur parasysh rëndimin e krizës politike në vend, që 13 tetori 2019 të jetë jo vetëm data e zgjedhjeve lokale, por edhe e atyre parlamentare dhe presidenciale, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj krize të thellë dhe të gjithanshme të përfaqësimit në vend?”

Pas kësaj, Presidenti bën publik edhe shqetësimet që ka pasur në lidhje me rolin e paraardhëses së ambasadorit Soreca, zonjën Vlahutin.

“Ju e dini shumë mirë, që ditën e parë që keni mbërritur këtu, se një nga shqetësimet dhe vërejtjet e mia për Delegacionin e BE gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve.”

Meta lajmëron se do të vazhdojë të drejtojë të tjera pyetje publike, por kësaj here për Reformën në Drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese. Dhe pikërisht për këtë reformë, që e quan Ramaforma, ka nisur publikimin e një cikli refleksionesh, për të treguar se si kryeministri e ka kapur reformën në drejtësi.

“Po çfarë është Ramaforma? Përgjigje e thjeshtë: Zbatimi ”krijues” i Reformës. Timonieri ynë ka timon por s’ka frena, dhe si i tillë shquhet për “krijimtari” të papërmbajtshme. 

 Reforma në Drejtësi u bazua te Komisioni i Venecias.

Po Ramaforma ku bazohet?!!

Përsëri frymëzimi buron nga Venecia, por jo nga Komisioni, por nga Bienalja e Venecias.

Pse? Sepse timonieri ynë është vetëm Artist.”

Presidenti Meta nuk është ndalur me kaq, por ka publikuar në faqen e presidencës dhe një komunikim shkresor me Këshillin e Lartë Gjyqësor, të cilit i kërkon sqarime shteruese mbi marrjen e masave për plotësimin e vakancave në Gjykatën e lartë. Kreu i shtetit shpreh kritika për mos-nxjerrjen e akteve ligjore, por thotë se në vend të kësaj, Këshilli është marrë me një opinion Ligjor të Euralius, për zëvendësimin e përkohshëm të anëtareve të Gjykatës së Lartë me gjyqtare nga gjykatat e tjera. Propozimi që vendet vakante në Gjykatë të lartë të mbushen me gjyqtare të deleguar nga shkalla e parë dhe e dytë e gjyqësorit, Meta thotë se cenon kompetencat e kreut të shtetit dhe bie ndesh me Kushtetutën.

Tv Klan

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT
Doktori