Meta: Rama, fajtori i vetëm nëse shkelet marrëveshja e 5 Qershorit


Meta: Rama, fajtori i vetëm nëse shkelet marrëveshja e 5 Qershorit

14:19 24/09/2020

Ilir Meta njeh vetëm marrëveshjen e 5 Qershorit edhe pse kërkon lista 100 përqind të hapura dhe në rast se ajo shkelet me amendimet e reja në Kodin Elektoral ai gishtin për përgjegjësi e drejton vetëm tek Edi Rama.

“Gjërat janë të qarta, ka mbetur edhe pak kohë për të reflektuar. Përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori në rast se shkelet marrëveshja e 5 Qershorit, i cili për fatin e tij personal kërkon të vërë në pikëpyetje fatin e 4 milionë shqiptarëve”.

Të njëjtin qëndrim i ka shprehur dhe ambasadorëve të BE-së në një takim të thirrur prej në prag të raport progresit të BE-së.

Pa e përmendur me emër i çon një tjetër mesazh kërcënues Ramës për të mos guxuar të prishë zgjedhjet e 25 Prillit siç e akuzon se bëri me zgjedhjet në Shijak dhe ato në Dibër. Në të kundërt, ai i kujton fatin e pashmangshëm që e pret.

“Janë të gjithë provat, që nga dosja e Shijakut, dosja e Dibrës dhe që nga të gjitha sjelljet e tjera se kjo qeveri vë dorë mbi zgjedhjet në mënyrë të hapur dhe brutale.  Nëse dikush do të përpiqet të barazojë fatin e tij me fatin e të gjithë shqiptarëve dhe me të ardhmen europiane të Shqipërisë, mua nuk do të më vijë fare keq për fatin e tij”.

Presidenti akuzon Ramën dhe qeverinë tij dhe për shkatërrimin e lumit Vjosë me projektet për HEC-et në një aktivitet të organizuar enkas për këtë çështje nga ku bëri dhe deklaratat për situatën politike. Përgjegjës bën dhe ata që hartojnë raportet për ndikimin në mjedis të projekteve të tilla që siç thotë kreu i shtetit i hartojnë ato nëpër zyra në interes vetëm të qeverisë dhe koncesionarëve dhe jo ekosistemit.

Tv Klan



Të ngjashme