Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot gjyqin kundër 24 deputetëve në vitin 1947, të cilët u dënuan me vdekje nga regjimi komunist. Në një postim në mediat sociale, teksa dënon këtë akt të regjimit të shkuar, Meta shprehet se në këtë ditë u instalua institucioni i eleminimit fizik të kundështarëve dhe intelektualëve.

Por ai shton se sot, 30 vite nga përmbysja e regjimit shqiptarët sërish kanë një parlament monist. Sipas tij Kuvendi është “vendosur në funksion të pushtetit, që miraton ligje e ndryshon Kushtetutën vetëm për të ndaluar opozitën politike, ndëshkuar mendimin ndryshe dhe median kritike, dhe që ngre kartonat jeshilë vetëm për ligje në funksion të një kaste oligarkësh që po vjedh çdo ditë pasuritë e shqiptarëve”.

Po ashtu ai sërish nuk lë pa përmendur Ramën, ku shkruan se qeveria e tij po kthehet në një juntë.

Fatkeqësisht, vendi drejtohet nga një regjim autokratik që tenton të marrë formën e një junte, ku Kryeministri në detyrë mburret me krenari nga foltorja e Kuvendit një-partiak për vendimin e babait të tij për varjen e poetit Havzi Nela, kur në të gjithë Europën Lindore po frynte era e ndryshimeve demokratike”, shkruan Presidenti.

Më tej ai publikon dhe emrat e 24 deputetëve të vrarë nga regjimi dhe shton se vendi “rrezikohet sërish nga një Sekt pa vlera, pa nder e pa Atdhe, si Rilindja, e përfaqësuar nga bijtë e etërve gjakatarë, që mburren me firmat e dënimeve me varje, duke firmosur sot akte për shtypjen e opozitës, asgjësimin e fjalës së lirë e llogaridhënies, sundimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”, mbyll reagimin e tij kreu i shtetit./tvklan.al