Në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave, me rastin e 25 – vjetorit të parlamentit të parë pluralist, kreu i Kuvendit Meta, shprehu besimin se parlamenti do të miratojë brenda kësaj legjislature sfidën më të madhe që ka përpara, atë të Reformës në Drejtësi.

“Këtë kohë që kemi përpara duhet ta shfrytëzojmë me urtësi dhe largpamësi për të përmbyllur me sukses këtë proces madhor dhe historik, të arrijmë konsensusin e duhur, pasi miratimi i Reformës në Drejtësi do të rikthejë besimin e publikut tek drejtësia, por edhe besimin e investitorëve te mundësitë e shumta që ofron Shqipëria. 

Është detyra e të gjithëve ne dhe përgjegjësia jonë historike për ta çuar këtë proces përpara dhe për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe partnerëve se ne ishim të aftë në lartësinë e sfidës që kërkon e ardhmja evropiane e Shqipërisë, si një vend i së drejtës dhe i sundimit të ligjit. 

Më lejoni që në përfundim të shpreh bindjen time se ne do ta kalojmë këtë sfidë me sukses dhe do të mbahemi mend si Kuvendi i Reformës në Drejtësi

”,

 tha Kryeparlamentari Meta.

Përpara të ftuarve nga klasa politike, ambasadorë dhe përfaqësues të besimeve fetare, Meta kujtoi kryetarin e parë pluralist, Pjetër Arbnori dhe “Heroin e Demokracisë”, Azem Hajdari.

Tv Klan