Kryeparlamentari Ilir Meta dhe Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, lanë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje për të mos e çuar në një votim të njëanshëm nga ana e maxhorancës paketën e ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi.

Pas takimit që zgjati për afro dy orë, Meta, i angazhuar në këtë proces si Kryetar i Kuvendit theksoi nevojën për ta miratuar me konsnesusin e të gjitha palëve këtë reformë.

“Sigurova përkushtimin tim maksimal si Kryetar i Kuvendit për të garantuar një proces dhe procedurë parlamentare tërësisht legjitime dhe me integritet, për miratimin e paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi, si një proces madhor dhe me rëndësi historike për qytetarët, vendin dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane. Ia kam bërë të qartë zotit Rama iniciativën për tu takuar me zotin Basha dhe para se ta bëjë publike ftesën për të, i kam telefonuar dhe në fakt ideja ime kryesore ka qenë për tu takuar me zotin Basha, për tu takuar edhe me zotin Rama dhe me përfaqësues të mazhorancës, pse jo edhe me përfaqësues të misioneve që na asistojnë dhe që janë marrë me këtë çështje. Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit mbetem i hapur për dialog me të gjitha palët. Sigurisht unë do të kem mundësi të takohem me zotin Rama, edhe me përfaqësues të tjerë të komisionit të posaçëm zgjedhor dhe me aktorë të tjerë, por qëllimi im nuk ka qenë asnjëherë për të hyrë në përmbajtjen e kësaj reforme. Qëllimi im ka qenë gjithmonë që ky të jetë një proces i hapur, të jetë një proçes transparent, ky të jetë një proces konsensual që garanton standartet e kësaj reforme dhe ky takim u bë për këtë qëllim dhe ky angazhim është vetëm në këtë drejtim.”

Të njëjtin angazhim shfaqi edhe kryedemokrati Basha nga selia blu. Zgjidhja që sipas tij, garanton moskapjen politike, bazohet tek paragrafi 88 i Komisonit të Venecias, që Basha evitoi t’i referohej si formula e vendeve të rezervuara.

“Kemi kërkuar një zgjidhje jo tonën, por të ofruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE dhe të konsakruar nga Komisioni i Venecias, si një zgjidhje e përshtashme për të shmangur kapjen politike të sistemit. Por që të jetë produkti që dëshiron çdo shqiptar, duhet me patjetër të përputhet me opinionin final të Komisionit të Venecias. Dhe për këtë çështje, ja çfarë thotë Komisioni i Venecias: Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme, nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jogjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK, DHSK-së, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organët kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes. E zezë mbi të bardhë. Ky është arbitri. Për këtë kemi rënë dakord, ky është autoriteti suprem, mbi çdo autoritet tjetër europian apo global, për ndryshimet kushtetuese në çdo vend anëtar të Këshillit të Europës. Arbitri ka folur, PD ka zgjedhur, e ka pranuar, ata që se kanë pranuar është mazhoranca, ai që se ka pranuar është Kryeministri. Nëse kërkohet bashkëbisedim, negocim, vullnet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët në përputhje me Komisionin e Venecias, PD e ka , e ka patur dhe vazhdon ta ketë, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, edhe të dielën, edhe ditën e ditëlindjes time.”

Me shumë gjasë ky takim do të hapë siparin e një vale të re negociatash mes palëve, ku kësaj radhe negociatori që duhet të bindë Bashën e Ramën është Ilir Meta.

Ky takim, që vjen pas dështimit të atij mes Rames e Bashës, u zhvillua jo vetëm në një atmosferë konsensusi, por dhe feste, pasi kryetari i kuvendit kishte sjellë me vete një “tufë lulesh“ për t’i uruar Bashës ditëlindjen, ne përvjetorin e 42 të tij.

Tv Klan