Presidentit iu dha afat deri të hënën që të paraqitet para deputetëve

Presidenti Ilir Meta nuk u paraqit të martën për t’u pyetur në komisionin hetimor parlamentar që po heton kreun e shtetit për shkelje të rendë të kushtetutës me deklaratat e tij para dhe gjatë fushatës elektorale.

Meta preferoi që t’i adresonte një letër Kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, ku thekson se Komisioni Hetimor për shkarkimin e tij është ngritur në shkelje të kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Madje Meta e konsideron komisionin hetimor produkt të një veprimtarie të tërë parlamentare fiktive, duke krijuar një strukturë hetimore që nuk ka asnjë legjitimitet për të vepruar. Deputeti Braho duke iu referuar argumenteve në letrën e presidentit tha se nëse Meta nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, ky është puç pasi ai nuk po njeh më republikën parlamentare.

Kreu i komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Alket Hyseni tha se deri ditën e hënë, datë 24 Maj Presidentit Meta i jepet mundësia që të zgjedhë një datë për t’u paraqitur në seancë dëgjimore në këtë komision.

Ne mbledhje, anëtaret e komisionit shqyrtuan deklaratat e presidentit të sjella nga AMA, veçanërisht ato që kishin të bënin me deklaratat e tij ndaj ambasadores amerikane në Shqipëri dhe marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.

Klan News