“Sfida e radhës, mbrojtja e KLSH”

Edhe pse konstatimi i përfundimit të mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe rrjedhimisht si kreu i KED-it ishte kthyer në një sfidë personale për Ilir Metën, sot një ditë pas vendimit të KLGJ presidenti nuk e cilëson si fitore por thjesht si pozitiv.

“Për mua si president nuk ka qenë dhe nuk do të jenë individët, por legjitimiteti i tyre në raport me ligjin dhe kushtetutën. Për mua vendimtare ka qenë dhe mbetet, respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve”.

Sfida e re e Ilir Metës duket të pengojë nismën e socialistëve për amenduar ligjin për KLSH për të emëruar një nënkryetar që mund të marrë kompetencat e kryetarit kur atij i përfundon mandati.

Por Ilir Meta nuk është kaq kategorik kur pyetet për dekretimin e një date zgjedhjesh për bashkitë e mbetura pa kryetar. Edhe pse ai përsërit se nuk i njeh të zgjedhurit e 30 Qershorit deklaron se nëse ka marrëveshje mes palëve është gati që të firmosë dekretin.

“Kam qenë dhe jam tepër i saktë, unë veproj në raport me Kushtetutën, nuk kemi një vendim të gjykatës kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit vendore. Megjithatë, në rast se të gjitha palët do të arrinin në një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe do të mbështetje nga ndërkombëtarët, nuk do të përpiqesha të bëhesha bllokues”.

Shprehet i paduruar për të firmosur amendimet në Kodin Elektoral dhe Lulzim Bashës në ditën e ditëlindjes i uron më shumë marrëveshje si kjo e arritur me socialistët.

“Padyshim që kam nisur një urim dhe një shishe verë dhe shpresoj që edhe ai ta kalojë gëzuar dhe dy palët të reflektojnë dhe marrëveshje të tjera që të ndihmojnë integrimin”.

Urim ka dhe për Edi Ramën ditën e ditelindjes së PS, që të reflektojë e të ecë nën gjurmët e paraardhësve.

“Uroj të gjithë socialistët për këtë ditë të rëndësishme për ta, dhe t’i vlerësoj për ato gjëra pozitive që kanë bërë në historinë e demokracisë, të zhvillimit dhe shpresoj që të jetë një ditë reflektimi edhe për ata që drejtojnë sot dhe të tjerët”.

E për integrimin institucioni i Presidentit ka gati propozimet dhe sugjerimet e tij për planin e veprimit të qeverisë për procesin e integrimit.

“Ky duhet të jetë fokusi ynë dhe nuk duhet të shmangemi asnjë ditë nga çdo tymuese që hidhet nga kushdo që e hedh, pasi duhet të ecim në këtë bulevard që ndihmon Shqipërinë të ecë përpara dhe mos vazhdojmë rrugicave që nuk kërkojnë diell por mund të na çojnë në errësirë.  Por nuk besoj se do të ndodhë, besoj se ka reflektim”.

Meta lajmëron se institucioni që drejton ka nisur një investigim për përgjegjësit për rritjen e numrit të emigrantëve kryesisht nga Lindja e Mesme.

Tv Klan