Presidenti Ilir Meta e sheh si domosdoshmëri përqendrimin e Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Prokurorisë dhe agjencive të  tjera ligjzbatuese në luftën kundër kanabisit.

Kreu i shtetit ka shpërndarë raportin vjetor të Qendrës Europiane të Drogave, ku thuhej se për shkak të masave të marra në kuadër të Covid-19 forcave ligjzbatuese janë fokusuar për të forcuar masat në lidhje me pandeminë dhe në këtë mënyrë pritet që të ketë një rritje të kultivimit të kanabisit.

“Është një kambanë e fortë alarmi që duhet të zgjojë dhe t’i bashkojë të gjitha forcat e përpjekjet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e këtij fenomeni kanceroz për shoqërinë, që aq shumë e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë”, thotë Meta.

Sipas Presidentit, lufta kundër kanabisit është kusht për integrimin europian dhe çdo neglizhencë do të kishte pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit./tvklan.al