Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ftuar në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë: “Një Politikë e Jashtme e Re”; mbajti sot një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e hapjes, krahas Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe liderëve të tjerë pjesëmarrës në të.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta vlerësoi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare dhe sfidave të reja me të cilat përballen rendi botëror dhe institucionet ndërkombëtare.

Presidenti Meta, nënvizoi se

“pas më shumë se 70 vitesh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, si dhe gati tre dekada pas Luftës së Ftohtë, sërish e ardhmja e rendit botëror duket e pasigurt”.

“Fuqitë e mëdha tradicionale po përballen me probleme për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për konfliktet globale, ndërkohë që multilateralizmi nuk është më e njëjta forcë shtytëse për qeverisjen botërore”,

 u shpreh Presidenti Meta.

Në mënyrë të veçantë Kreu i Shtetit theksoi se sfidat e sotme të tilla si, siguria globale, multilateralizmi, ndryshimet klimaterike, migracionin, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm po dominojnë politikën e jashtme.

“Kërcënime të reja nga terrorizmi ndërkombëtar po përhapen me të njëjtën shpejtësi si revolucioni teknologjik dhe siguria kibernetike po bëhet një sfidë e madhe për shoqëritë dhe vlerat tona”,

 tha Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu në fjalën e tij se

“politika e jashtme globale po influencohet shumë edhe nga ‘diplomacia energjetike’ dhe nga përpjekjet për të zotëruar burimet energjetike në mbarë botën”.

Në këtë aspekt, Presidenti Meta solli në vëmendje të auditorit dhe rolin e Shqipërisë, që për herë të parë bëhet pjesë e projekteve strategjike energjetike përmes korridoreve të gazit TAP dhe IAP. 

“Këto projekte kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme dhe pozitivisht rolin e Shqipërisë në rajon, e më gjerë”,

 u shpreh Presidenti Meta.

Ndërsa duke u ndalur në zhvillimet më të fundit pozitive në rajon, si anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe zgjidhja e çështjes së emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Presidenti Meta nënvizoi se ato kanë gjeneruar një optimizëm të ri në rajonin tonë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Meta u shpreh se, Shqipëria është shumë e angazhuar për bashkëpunimin rajonal dhe për forcimin e mëtejshëm të multilateralizmimt.

“NATO mbetet Aleanca më atraktive për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, në kontinentin tonë dhe më gjerë. Ne kemi rritur kontributin tonë për forcimin e paqes, stablitetit dhe përparimit në rajonin tonë e më gjerë”,

 theksoi Presidenti Meta

./tvklan.al