Përkujtohet 21-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb

Nga Kosova, Presidenti i Republikës Ilir Meta kërkoi që Shqipëria dhe Kosova të bashkëpunojnë më shumë për të tejkaluar krizat, që sipas tij krijohen vet.

“20 vite kanë kaluar dhe vërtet jemi shumë më mirë nga ç’kemi qenë njëzet vite më parë. Ashtu sikurse duhet të jemi më të vëmendshëm për të ardhmen dhe të shohim se çfarë duhet të bëjmë më mirë për t’u mos u motivuar dhe vënë në lëvizje virtytet tona më të mira kombëtare vetëm në kohë krizash.  Duhet të punojmë çdo ditë në mënyrë të përgjegjshme dhe të virtytshme që të evitojmë krizat dhe vështirësitë që i krijojmë vetes. Shqetësim im është se duhet të punojmë më shumë për të mbrojtur të rinjtë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në këtë rajon, për të mos braktisur vendin e tyre. Kjo është sfida jonë më e madhe”.

Në ceremoni përkujtimore të eksodit të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb, Meta tha se Kosova duhet të vijojë të  jetë sheëmbull bashkëpunimi në rajon

“Ky 21-vjetor i kujtimit të atij eksodi biblik, i atyre vuajtjeve biblike, por edhe i lirisë së Kosovës, është njëkohësisht edhe një mundësi që Kosova të tregojë vullnetin e saj për pajtim siç e ka treguar në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre dy dekadave, për bashkëpunim, gjithmonë në mënyrën më dinjitoze, me të gjithë, duke qenë një shembull në rajonin tonë”.

Ndërsa u ndal tek tërmeti i 26 Nëntorit që goditi Shqipërinë, kreu i shtetit falenderoi Kosovën për ndihmën e dhënë në përballimin e emergjencës.

Tv Klan