Presidenti Ilir Meta përshëndeti vëmendjen e BE drejtuar Ballkanit Perëndimor, teksa theksoi se Shqipëria është e vendosur të mos humbasë më kohë për perspektivën europiane.

“Presim një vendim pozitiv në të ardhmen për të hapur negociatat e pranimit me Bashkim Europian, ne mbetemi të përkushtuar për të ecur përpara dhe pa vonesë me reformat e brendshme në fusha kyçe. Me proceset e vazhdueshme të paqes e të integrimit në Ballkan, besojmë se çdo arritje dypalëshe në gjirin e vendeve tona kontribuon drejtpërsëdrejti edhe për një paqe, siguri, qëndrueshmëri dhe zhvillimin ekonomik më të madh”.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kreu i shtetit shprehu mbështetjen e Shqipërisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu ka hyrë në fazën e tij të fundit, dhe pritet që të përfundojë me një Marrëveshje të detyrueshme ligjore mbi normalizimin tërësor të marrëdhënieve midis dy shteteve. Është shumë e rëndësishme që kjo Marrëveshje të shënojë një ndarje nga historia dhe e kaluara, si edhe të përmirësojë jetën e përditshme të njerëzve në të dyja shtetet. Ne u bëjmë thirrje dhe mirëpresim çdo përpjekje të shteteve anëtare të OKB-së për vazhdimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës si dhe mbështetjen e mëtejshme të anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare”.

Presidenti Meta nënvizoi se angazhimi i kombinuar i NATO-s dhe Bashkimit Europian përbën garantuesin më të mirë për Ballkanin.

Tv Klan