Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë. Kështu shprehet Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një reagim pas sulmeve që Irani ndërmori ndaj dy bazave ushtarake irakiane.

Meta i kthen përgjigje edhe liderit suprem iranian, Ali Khamenei i cili më herët e quajti Shqipërinë “një vend të vogël, por të djallëzuar europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Iranit.”

“Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë”.

Në reagimin e tij, kreu i shtetit shqiptar thotë se këto sulme janë me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe thekson se Irani duhet të respektojë marrëveshjet dhe ligjet ndërkombëtare.

“Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombëtare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes”./tvklan.al