Presidenti bën publike platformën që prek edhe reformën

Pas deklaratës së Ambasadores Amerikane, Juri Kim, e cila foli për një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi, Presidenti Ilir Meta ka hedhur poshtë çdo aludim për një pakt mes tij, Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës. Për ta provuar këtë tha se u kishte dorëzuar platformën e tij për integrimin, që prek edhe Reformën në Drejtësi, por nuk kishte marrë përgjigje prej tyre.

Këtë platformë më kërkesën e saj ja kam dorëzuar Ambasadores së Shteteve të Bashkuara, që në datën 8 Prill. I kam nisur kryeministrit Rama këtë projekt platformë, kryetarit të opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Nuk kam marrë asnjë përgjigje për këtë platformë. E vetmja përgjigje që kam marrë nga zoti Rama është, sikur të bëjmë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë atje, se ka funksionuar shumë mirë gjatë kohës së pandemisë. Nuk ka funksionuar as gjatë kohës së pandemisë shumë mirë, sepse të tjera gjëra vendosëm aty, të tjera gjëra bëheshin. Ose jemi seriozë ose bëhemi gallatë, mua për gallatë nuk më kanë, as për reformë në drejtësi, as për demokracinë dhe as për të drejtat e shqiptarëve”.

Mesazhi i diplomates amerikane, tha Presidenti, nuk ishte në adresë të tij.

“Të jeni të sigurtë që vetëm për Ilir Metën nuk mund ta kishte ambasadorja, që ka pasur vlerësimet më të mira edhe informalisht, por edhe në gjithë aspektet e tjera. Maskat kanë rënë me kohë, maskat e reformës, pavarësisht nga maskat që mbajmë për shkak të pandemisë ende”.

Platforma e prezantuar nga kreu i shtetit thekson angazhimin e palëve jo vetëm për çështjen e Reformës Zgjedhore, por veçanërisht atë të Drejtësisë, me fokus Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Por cilat janë ligjet që sipas kreut të shtetit kërkojnë ndërhyrjen e ligjvënësit?

“Këtë ta vendosin palët në përputhje me rekomandimet e Venecias dhe të ndërkombëtarëve. Ky nuk mund të jetë as pjesë e një tryezë të GJL, sepse sipas ligjeve ndërkombëtare dhe sipas ligjeve tona, në çdo proces ku ky merr pjesë, ai që humb e çon në Gjykatë Kushtetuese dhe të Strasburgut dhe e fiton automatikisht. Si mund të mbash një njeri të tillë ti në krye të KED. Ligji e bën të qartë se kur ikën kreu e drejton zëvendësi.”

Që këto ndryshime ligjore të bëhen efektive, kreu i shtetit sqaron se duhet një dakordësi mes palëve, që duhet të kalojë përmes një këshilli politik. Por sesi mund të jetë ky Këshill thotë se vendimi i takon klasës politike.

Se si realizohet ajo duhet të jetë dhe kontribut i palëve. Pra unë të dërgoj një platformë me 14 pika dhe ti më dërgo disa sugjerime, që thua që këto dy pika nuk mund të jenë për këtë arsye dhe mendoj të shtohen 3 pika të tjera, që i shërbejnë kësaj gjëje”.  

Edhe për Reformën në Drejtësi paralajmëroi hetim ndërkombëtar, sikundër për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Do t’i kërkoj Bashkimit Europian edhe hetim për situatën me reformën në drejtësi. Si ishte kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si ishin ligjet e reformës të miratuara në mënyrë konsensuale dhe se si janë zbatuar”.

Një përgjigje dha edhe për deklaratën e Kryeministrit, se Presidenti po kërkon të krijojë një parti të re. Ramës i kujtoi sërish fundin e mandatit të tij, si dhe mbështetjen ndaj qytetarëve.

“Presidenti Meta është këtu si President i Shqipërisë deri në 24 Korrik 2022 dhe nuk ka nevojë as të mbështesë ndonjë parti, as të krijojë ndonjë parti dhe asgjë tjetër. Por që ka nevojë për një front për demokraci patjetër sepse diktatura ka trokitur”.

Kreu i shtetit, teksa e cilësoi të paligjshme shembjen e Teatrit Kombëtar, tha se ndjen detyrimin që të rindërtohet godina sipas modelit ekzistues.

Tv Klan