“Mënyra mafioze për të kapur Gjykatën Kushtetuese”

I sapo kthyer nga Parisi, Presidenti Ilir Meta firmosi dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, duke mos njohur në këtë mënyrë emërimin Arta Vorpsit në këtë detyrë fundjavën e shkuar.

Në mbrëmje në një konferencë për shtyp në një orar të pazakontë, kreu i shtetit Meta deklaroi se ishte në respektim të plotë të Kushtetutës ku parashikohet dhe radha e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga institucionet. Ai lëshoi një sërë sulmesh të ashpra për kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani që sipas tij, me urdhër partie u përpoq të vendosë kreun e shtetit në pozicion të vështirë për të qenë i detyruar të shkelë Kushtetutën.

“Lojërat nga një ushtar i partisë me lojëra të tilla të turpshme që as fëmijë rrugaçë nuk i bëjnë që të rrëmbejë kompetencën në mënyrë mafioze. Kjo është e vërteta dhe nëse këta zotërinj mendojnë se do të bëjnë drejtësi në këtë mënyrë dhe kur ata guxojnë dhe bëjnë këto lojëra me Presidentin, mendo se çfarë bëjnë me hallexhinjtë e Unazës së Re”, tha Meta.

Sulmoi edhe pse në mënyrë të përsëritur tashmë, diplomatë të huaj që sipas tij ishin pjesë e tentativës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Shqetësimet kundër KED-së nuk i kemi bërë publike se nuk kemi dashur ta dëmtojmë më shumë këtë proces sesa e bllokuan ata që e lanë qëllimisht 2 vjet pa Gjykatë Kushtetuese”, tha Meta.

Vlerësoi maksimalisht kandidaturën e Marsida Xhaferllarit dhe iu kundërpërgjigj Taulant Ballës për deklaratat e bëra në parlament.

“Unë nuk jam këtu për t’u marrë me thashetheme që u takojnë vetëm njerëzve dhe politikanëve që nuk kanë asnjë dinjitet institucional, por as familjar dhe shoqëror. Mos prisni nga unë të merrem me gjëra të tilla”, u shpreh kreu i shtetit.

Meta deklaroi se nuk e njeh Arta Vorpsin si anëtare të Kushtetueses.

“Jam shumë i qartë për këtë çështje. Kuvendi është i mirëpritur të komunikojë zyrtarisht me institucionin e Presidentit, dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar në respekt të kushtetutës dhe detyrimeve kushtetuese dhe kjo është një çështje e mbyllur dhe shumë e qartë”.

Me nisjen nga funksionimi të Gjykatës Kushtetuese pritet të shqyrtohet dhe kërkesa e mazhorancës për shkarkimin e Metës si President, por Meta e injoron këtë si mundësi dhe përsërit se do të jetë në zyrë deri ditën e fundit të mandatit të tij 5-vjeçar.

“Deri në 24 Korrik 2022 do të jem në krye të institucionit të Presidentit me dorën në Kushtetutë”.

Me dekretimin e Marsida Xhaferllarit nga Meta dhe emërimin e Arta Vorpsit pas publikimit të listës së KED në fletoren zyrtare shënohet një rast i paprecedent kur për një vend në Gjykatën Kushtetuese kemi 2 anëtarë. Tani pritet hapi radhës se mazhorances, e cila e cilëson si të paligjshëm dekretin e të mërkurës së Ilir Metës.

TV Klan