Meta, takim me ambasadorët: Autoritetet të reagojnë menjëherë ndaj krimeve zgjedhore



Meta, takim me ambasadorët: Autoritetet të reagojnë menjëherë ndaj krimeve zgjedhore

19:27 23/04/2021

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në takime të veçantë, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman dhe Ambasadorin e Prezencës së OSBE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco, për t’i informuar me ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri.

Presidenti Meta mirëpriti angazhimin dhe interesin e tyre për një proces zgjedhor, që plotëson standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kreu i Shtetit i njohu Ambasadorët me denoncimet e shumta të qytetarëve dhe subjekteve politike për parregullsi serioze të konstatuara gjatë fushatës zgjedhore, që duhet të kishin marrë menjëherë përgjigjen e shpejtë dhe të prerë të institucioneve përgjegjëse, duke parandaluar çdo përshkallëzim tjetër.  

Presidenti Meta theksoi se është me rëndësi jetike për integritetin e procesit zgjedhor, që Policia e Shtetit dhe institucionet gjyqësore, gjatë ditëve në vazhdim të reagojnë në mënyrë të menjëhershme me profesionalizëm, paanshmëri të plotë dhe në përputhje me ligjin kundër çdokujt, që do të guxojë të kryejë krim zgjedhor.

Presidenti Meta u kërkoi Ambasadorëve angazhimin e tyre në vëzhgimin e zgjedhjeve, veçanërisht në Qarqet, që kanë shënuar edhe numrin më të lartë të denoncimeve zyrtare, për të cilat janë informuar hollësisht edhe të gjithë ambasadat e vendeve partnere.

Kreu i Shtetit ripërsëriti bindjen e tij të plotë se qytetarët do të marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje, duke i bërë shërbimin më të mirë vendit dhe të ardhmes së pakthyeshme europiane./tvklan.al







Të ngjashme