Nishani: Besnik Muçi s’mund të shkarkohet



Nishani: Besnik Muçi s’mund të shkarkohet

12:49 21/11/2019

Kuvendi të shkarkojë trupën e KPA që mori vendimin

Sikundër kreu i shtetit edhe ish-Presidenti Bujar Nishani pas takimit që zhvilloi me Ilir Metën në Presidencë thotë se qëndrimi i Besnik Muçit për të qëndruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese, edhe pas shkarkimit nga KPA është i drejtë. Kjo, pasi sipas Nishanit, ai i është nënshtruar vettingut si prokuror dhe jo si gjyqtar kushtetues.

“Arsyetimi i Muçit është korrekt dhe i saktë në vijë logjike. Besnik Muçi si prokuror nuk ekziston më që nga dita që është dekretuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe është betuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Analiza morale është tjetër gjë. Jo çdo qytetar hyn në vetting. Kur një subjekt nuk ekziston më, ka ndërruar jetë, mbyllet çështja. Në rastin konkret Muçi nuk ekziston më si prokuror.”

Nishani shkoi më tej në qëndrimin e tij teksa i kërkoi Kuvendit të shkarkojë trupën e gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

“I takon parlamentit që menjëherë këta njerëz të zgjedhur prej tij të hetohen dhe shkarkohen nga detyra. Kanë nivel skandaloz. Kushdo që është brenda sistemit dhe parashikohet nga ligji duhet t’i nënshtrohet vettingu.”

Për ish-Presidentin Nishani përplasja për Gjykatën Kushtetuese është një tentativë për t’i marrë kompetencat kreut të shtetit. Ai foli edhe për fakte, me të cilat ishte njohur nga Presidentit Meta që sikundër tha për gazetarët provonin kapjen e sistemit dhe gjykatës kushtetuese.

“U njoha me çështje të pabëra ende publike nga na e presidentit që tregojnë për një tendencë për të minuar institucionin e presidentit dhe besueshmërinë e proceseve shtet ndërtuese në vend ndaj e mbështes plotësisht presidentin në qëndrimin e tij kushtetues në mbrojtje të integritetit të atij që është si një proces që shqiptaret po e mbajnë gjallë besimin, reformën në sistemin e drejtësisë, por mbi të gjithë respektin ndaj shtetit të së drejtës.”

Takimi i Nishanit me kreun e shtetit vjen pas konsultave që Ilir Meta ka zhvilluar edhe me dy ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Sali Berisha. Pasdite, Presidenti do të takohet edhe me ish-Presidentin Topi.

Tv Klan







Të ngjashme