“Respektim të drejtave të tyre, por jo kthime në këtë situatë”

Presidenti i Republikës kërkon të garantohen të drejtat kushtetuese të emigrantëve shqiptarë që kanë ngelur në pikat kufitare për shkak të mbylljes së kufijve. Por gjithsesi ai thotë se edhe qytetarët duhet të evitojnë udhëtimet nëse ato nuk janë jetike në këtë periudhë.

Pas akuzave të kryebashkiakes në detyrë të Shkodrës për mungesën e reagimit të institucioneve shtetërore për të përballuar situatën e krijuar nga përhapja e Covid-19 në këtë qytet, presidenti Meta shkoi dhe i takoi personalisht të gjithë autoritetet lokale si prefektin ashtu dhe Voltana Ademin.

Për Metën veç ndërgjegjësimit qytetarë për të respektuar të gjitha masat e distancimit social ai që vlen në këtë moment është bashkëpunimi i autoriteteve të të gjitha pushteteve që të bëhet i mundur menaxhimi i situatës.

“Kam besim se përmes bashkëpunimit të shtabit të emergjencës së drejtuar nga prefekti, të kryetares dhe shtabit të saj por dhe përfaqësuesve të pushtetit vendos dhe qendror janë të gjitha mundësitë për ta menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë krizë, këtë pandemi, dhe padyshim që këtu është i rëndësishëm dhe bashkëpunimi i qytetarëve ne respektimin e të gjitha kufizimeve të distancën sociale, të këshillave të autoriteteve shëndetësore në mënyrë që sa më shpejt jo vetëm të izolojmë të gjitha rastet dhe të ndihmojmë për t’u shëruar të gjithë të prekurit nga Covid-19 por edhe të garantojmë mposhtjen e kësaj pandemie sa më shpejt dhe rikthimin në normalitet të jetës sa më pare”.

I pyetur nga gazetarët nëse ka të njëjtin këndvështrim me kreun i opozitës për të rritur numrin e testimeve, Meta thotë se gjurmimi i rasteve të evidentuara do bëjë të mundur mbylljen e ciklit të shpërndarjes.

 “Unë besoj se përmes gjurmimit efikas të rasteve të evidentuara dhe përmes testimeve të realizuar për shkak të gjurmueshmërisë do të arrijmë të izolojmë  të gjitha rastet që mos të kemi shpërndarje të mëtejshme. Besoj shumë në bashkëpunimin e të gjithëve. Sa më shumë të bashkëpunojmë aq më shumë do t’i kthehemi normalitetit”.

Presidenti ishte dhe në qytetin e Lezhës ku u takua dhe foli me prefektin e qarkut Gjoke Jaku për masat e marra anti-covid të marra në këtë qytet ku aktualisht ka 14 raste pozitiv me koronavirus.

Tv Klan