Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit sot në një takim nga Kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yuli Edelstein. Meta gjatë takimit theksoi:

“Mesazhi im është i qartë teksa bota përkujton 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit – Antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona! Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi që shpëtoi mijëra jetë hebrenjsh gjatë periudhës më të errët historike të tyre në shekullin e 20-të”.

Ai ndodhet në Izrael me rastin e Forumit të Pestë Botëror të Holokaustit. Meta vuri në dukje se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë, tolerancës dhe bashkëjetesës. Gjithashtu, kreu i shtetit inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë. 

“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, dhe mjeteve të reja digjitale për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike“, tha Presidenti Meta. 

Në një deklaratë për mediat dërguar nga zyra e shtypit të Presidencës thuhet ndër të tjera se, Meta falënderoi Kryetarin e Parlamentit izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, si dhe shprehu mirënjohjen për operacionet e kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit e Izraelit ndërmori në vendin tonë./tvklan.al