Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë me ministrin e Jashtëm grek, Nikolaos Dendias në Presidencë gjatë  pasdites së të martës.

Meta falenderoi ministrin grek për vizitën dhe shpresoi që të sensibilizohet akoma më shumë komuniteti europian për situatën e rëndë në Shqipëri.

“Jam i bindur se kjo vizitë do i shërbejë sensiblizimit të komunitetit europian që të na ndihmojnë të përballojmë këtë situatë të vështirë dhe të jashtëzakonshme që të reduktojmë pasojat në radhë të parë humbjes së jetëve të qytetarëve tanë dhe rikuperimin e dëmeve në vendet e prekura”, tha Meta.

Ndërkohë ministri Dendias pasi shprehu ngushëllimet për jetët e humbura, theksoi se Greqia do të ofrojë ndihmën në çfarëdolloj për të ndihmuar popullin shqiptar. 

“Zoti President faleminderit që më prite në këtë ditë të vështirë. Jam këtu nën udhëzimet e kryeministrit Mitsotakis për t’ju përcjellë ngushëllimet e popullit grek për popullin shqiptar dhe për të ofruar ndihmesën tonë në çfarëdolloj mënyre që mundemi në këtë situatë të vështirë. Greqia ka një përvojë të gjatë nga tërmetet dhe që tani dy ekipe ndodhen këtu për t’iu ndihmuar”, tha Dendias.

Ndërkohë nisur nga situata e rëndë e fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë dhe që për fat të keq shkaktoi humbje jetësh të qytetarëve, plagosje dhe dëme të jashtëzakonshme materiale si dhe nga rëndësia prioritare e përqendrimit të të gjitha forcave e energjive për të përballuar pasojat katastrofike të kësaj tragjedie, Presidenti Ilir Meta ka vendosur të anullojë Pritjen Shtetërore organizuar me rastin e ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë planifikuar për në datën 28 nëntor 2019 në orën 19:00, në Pallatin e Brigadave, Tiranë./tvklan.al