Këtë të enjte ka ardhur për një vizitë në Tiranë, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili është takuar me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta. Në përfundim të takimit mes dy liderëve pati një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Meta falenderoi Pahor për kontributin që ka dhënë Sllovenia në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Meta tha se mes tij dhe Pahorit është folur mbi të gjitha në kuadër të takimit të radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet më 17 Maj.  

“Ndamë qëndrimin e përbashkët se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është vetëm në BE nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe distancimit nga e kaluara e hidhur”, tha Meta.

Ndërkohë Presidenti slloven tha se takimi i Brdo-Brijunit synon që të nxisë reformat në rajon. Pahor u shpreh se procesi i zgjerimit duhet të jetë më i shpejtë dhe nuk duhet të ketë parasysh vetëm shtetin negociues për të hyrë në BE, por tërë rajonin e Ballkanit.

Pahor foli edhe për problemet që sjell ndryshimi i kufijve në Ballkan.“Ndryshimet e kufijve në këtë pjesë të Europës nuk zhvillohen pa flijime”, tha Pahor./tvklan.al