Presidenti Ilir Meta ka qenë sot në në Sukth, ku ka parë nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Në një postim në mediat sociale, Presidenti bën me dije se ka  qenë në fshatrat “Vadardhë, Rrushkull e Hamallaj, të përmbytura si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, të cilët veç pasojave të tërmetit dhe pandemisë, po vuajnë nga dëmet e motit të keq dhe mungesa e ndihmës shtetërore”.

Kreu i shtetit shton se është informuar se nga dalja nga shtrati i lumit Erzen janë izoluar me dhjetëra familje, dhe shumë për shumë toka që janë nën ujë.

I papranueshëm është fakti se këto familje po vuajnë prej ditësh mungesën e ujit të pijshëm dhe rezervave ushqimore, për shkak se asnjë autoritet shtetëror nuk i ka paralajmëruar në kohë për të marrë masat e nevojshme. Problematikë ka edhe në sigurimin e ushqimit për kafshët, duke vënë në rrezik dhjetëra krerë bagëti, burim i vetëm i të ardhurave të tyre”, shkruan Meta.

Më tej Presidenti shton se për shkak të pasojave të tërmetit, të COVID-19, krizës ekonomike të shkaktuar prej tyre dhe rëndimit të gjendjes nga përmbytjet, është emergjente menaxhimi më i mirë i situatës.

Ai bën thirrje se “prioritet absolut mbrojtjen e shëndetit, jetës dhe pronave të qytetarëve të rrezikuar, të cilëve duhet t’u garantohen ushqime, ujë të pijshëm dhe medikamente mjekësore”./tvklan.al